Dinamo ka fituar ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues në Conference League, në fushën e Atletic d’Escaldes të Andorrës. Blutë përmbysën disavantazhin në pjesën e dytë, me gola të shënuar nga Zabërgja e Qardaku.
Dinamo ka hedhur një hap të madh drejt raundit të tretë kualifikues në Conference League, falë fitores 2-1 në fushën e Atletic Club d’Escaldes të Andorrës. Fitorja ishte e merituar për skuadrën e Ilir Dajës, që ishte superiore në fushë, megjithatë golin e parë e shënuan vendasit, në fundin e pjesës së parë, me autor Vieira që goditi saktë me kokë.
Në pjesën e dytë, Dinamo iu afrua barazimit me Nanin, por topi i gjuajtur prej tij brenda zonës u përplas në traversë. Në minutën e 65-të, vjen goli i barazimit, nga Zabërgja, që shfrytëzoi pasigurinë e portierit vendas. Blutë dominojnë dhe krijojnë raste, më i miri prej të cilëve nga Vila, që gjuan mbi tra, në minutën e 73-të.
Katër minuta para përfundimit vjen edhe goli i dytë, shënuar nga Qardaku, fare pranë portës. Në këtë mënyrë, rikthimi në Evropë pas 15 vjetësh është i suksesshëm për Dinamon që tani e ka pranë raundin e tretë.