“Jam rikthyer te Milani pas 15 vitesh dhe jam i lumtur që jam këtu. Do të jetë një sezon i rëndësishëm për ne dhe duam të kthehemi në Ligën e Kampionëve. Milani është një nga klubet më të rëndësishme në botë dhe duhet të luajë në Ligën e Kampionëve. Kur e vesh këtë fanellë, ndjen përgjegjësinë e përfaqësimit të një prej klubeve historike dhe gjithmonë duhet të japësh gjithçka.”
Këto janë fjalët e Massimiliano Allegrit pas mbërritjes së Milanit në Perth të Australisë, ku kuqezinjtë do ta mbyllin turneun e tyre veror më 31 korrik me një ndeshje miqësore kundër ekipit vendas Perth Glory.
“Pushimi bën mirë,” tha trajneri për Eurosport në lidhje me pushimin e tij pas largimit nga Juventusi, “por doja të kthehesha në stërvitje. Zgjodha Milanin sepse e dua këtë ekip dhe nuk mund të thoja jo. E bëj këtë punë me pasion dhe përkushtim, dhe jam i bindur se së bashku do të arrijmë qëllimet që i kemi vendosur vetes.”