Ndërsa diskutimet mes NBA-së, FIBA-s dhe Euroleague-s intensifikohen për të gjetur një formulë bashkëpunimi, qoftë për krijimin e një lige të re, apo për një ristrukturim të thellë të vetë Euroleague-s, NBA po hedh një tjetër hap konkret drejt pranisë së saj në Evropë.
Liga amerikane konfirmoi zyrtarisht se gjatë tre viteve të ardhshme do të zhvillojë gjashtë ndeshje të sezonit të rregullt në tokë evropiane, një lëvizje që vjen si pjesë e strategjisë së saj për zgjerim global.
Zgjedhja e katër qyteteve mikpritëse: Berlini, Londra, Mançesteri dhe Parisi, nuk është aspak rastësore.
Për herë të parë, Berlini do të presë një ndeshje të NBA-së më 15 janar 2026, ku Orlando Magic do të përballet me Memphis Grizzlies në Uber Arena.
Dy ditë më pas, më 17 janar, të njëjtat skuadra do të ndeshen sërish, këtë herë në Londër, qytet që ka pritur më parë evente të NBA-së.
Në vitin 2027, për herë të parë NBA do të ndalet në Mançester, ndërsa Parisi do të presë dy ndeshje të tjera, në 2027 dhe 2028, pas suksesit të madh që pati ndeshja e zhvilluar në kryeqytetin francez më herët këtë vit.