Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin kryesor të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin “Ylli i Javës” për javën e parë të sezonit të ri. Fituesi i këtij çmimi prestigjioz është Valmir Veliu, futbollist i klubit FC Prishtina.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Enes Shosholli, Lulzim Berisha dhe Naim Kodraliu, të cilët vlerësuan paraqitjen vendimtare të Veliut në ndeshjen kundër FC Dukagjinit, ku Prishtina triumfoi me rezultat 2:3. Veliu kontribuoi me një gol dhe një asistim, duke ndikuar drejtpërdrejt në fitoren e skuadrës kryeqytetase në xhiron e parë.
Pas marrjes së çmimit, Valmir Veliu u shpreh:
“Të luash për Prishtinën është ëndërr e çdo lojtari. Jam ambientuar shumë mirë dhe shumicën e lojtarëve i kam njohur më herët.
Të luash në Dukagjin është gjithmonë e vështirë, por ia dolëm të shënojmë fitore. Personalisht gëzohem që e kam ndihmuar ekipin me gol dhe me asistim.
Ky çmim për mua është motiv të punoj dhe të ushtroj më tutje, si dhe të vazhdoj ta ndihmoj ekipin çdo javë.
Prishtina, çdo vit, synim e ka titullin kampion ose daljen në Evropë.”
Ky vlerësim shënon një fillim pozitiv për Veliun dhe një sinjal të qartë për ambiciet e FC Prishtinës në sezonin e ri.