Momenti i shumëpritur më në fund ka ardhur dhe tashmë orët kanë nisur të numërohen mbrapsht për fillimin e sezonit 2025–2026 të Abissnet Superiore.
RTSH do të përcjellë sërish me profesionalizëm gjithçka nga liga e futbollit shqiptar.
Pritet një kampionat më i fortë dhe më rivalizues se ai i kaluar. Pretendentët janë të shumtë, duke parë lëvizjet që janë bërë në merkato.
Egnatia, kampionia në fuqi mbetet favoritja kryesore, edhe pse largimi i disa “xhevahireve” ka lënë boshllëqe. Afrimet e bëra i japin garanci për cilësi. Çështja mbetet vetëm faktori kohë për kolaudim.
Vllaznia, finalistja e sezonit të kaluar, vjen me një fytyrë të re dhe një grup më të fortë.
Emrat si Lirim Kastrati, Elmando Gjini, Sherif Kallaku, Charles Bismark etj. tregojnë se kuqeblutë kanë potencial të qartë për të qenë në garë për titull.
Në listën e skuadrave pretendente nuk mungon as Dinamo. Nën drejtimin e Ilir Dajës, skuadra ndryshoi krejtësisht sezonin e kaluar, duke u bërë një ekip konkurrues. Forma e bluve po konfirmohet edhe në Europë.
Edhe pse sezoni i ri nis pa yllin Baton Zabërgja, Partizani dhe Elbasani, që rivalizuan për vendin e katërt një vit më parë, vijnë me objektiva të lartë. Të kuqtë kanë kaluar një verë me shumë lëvizje nga ndërrimi i trajnerit te largimet e afrimet e shumta, me një grup të ndryshuar në gati 50 për qind, koha për ndërtim ka qenë e kufizuar, por Partizani mbetet gjithmonë pretendent.
Elbasani ka ruajtur 70–80 për qind të skuadrës së një viti më parë, ndërsa afrimet kanë shtuar konkurrencën dhe cilësinë. Verdheblutë ende nuk kanë statusin e një pretendenti të qartë, por mbeten ekip për t’ju ndjekur.
Tirana, Teuta dhe Bylisi ishin në luftë për mbijetesë sezonin e kaluar. Bregdetarët vijnë me një presidencë të re, që ka zhvilluar një merkato ambicioze, por është e vështirë që në vitin e parë të sjellë suksesin e dëshiruar. Tirana ka ndryshuar thuajse një formacion të tërë. Afrimet e huaja premtojnë në letër, por mungon garancia. Gjithsesi, fusha është ajo që do të tregojë për merkaton e bardhebluve. Bylisi ka qenë më i kujdesshëm, duke luajtur pjesën më të madhe të grupit dhe duke shtuar lojtarë që kërkojnë të afirmohen në nivelet më të larta.
Vora dhe Flamurtari, të sapongjitura nga Kategoria e Parë, janë dy pikëpyetjet e sezonit. Vlonjatët kanë qenë shumë aktivë në merkato dhe mbetet të shihen në fushë nëse operacionet pikë do të japin efektin e tyre.
Ndërkohë Vora ka punuar në heshtje me objektiv për një kampionat pozitiv dhe qëndrimin mes më të mirave të elitës.
Gazetar: Edi Hajdini
/rtsh.al/