Ish-ylli i Real Madridit, Marco Asensio, është shumë pranë largimit nga Paris Saint-Germain.
Asensio e kaloi pjesën e dytë të sezonit 2024/25 në huazim te skuadra angleze Aston Villa, ndërsa në të njëjtën kohë PSG e siguroi titullin e parë historik në Ligën e Kampionëve, në maj. Megjithatë, pozita e tij në skuadër u dobësua edhe më tej pas vendimit të trajnerit Luis Enrique për ta lënë jashtë ekipit që do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube këtë verë.
Pavarësisht se tregoi disa paraqitje pozitive gjatë periudhës së huazimit në Birmingham, trajneri i Villa-s, Unai Emery, vendosi të mos e blejë kartonin e tij. Klubi anglez nuk arriti të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe, si rrjedhojë, Asensio u rikthye në Paris.
Spanjolli iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë nga Real Madridi në vitin 2023, por nuk arriti të gjejë vazhdimësi apo rol kyç në skuadër. Tashmë, ai synon një transferim të ri që do t’i mundësonte më shumë minuta në fushë dhe do ta mbante në garë për një vend në përfaqësuesen spanjolle për Kupën e Botës 2026.
Sipas raportimeve të mëparshme të L’Équipe, disa klube kanë shfaqur interes dhe kanë kontaktuar PSG-në lidhur me një transferim të mundshëm të Asensios. Ndërkohë, Sky Sports raporton se Fenerbahçe e ka rindezur interesimin për anësorin spanjoll, pavarësisht largimit të trajnerit José Mourinho.
Raporti i fundit sugjeron se është arritur një marrëveshje për transferimin e përhershëm të Asensios në Stamboll, me lojtarin që tashmë është i vendosur të largohet nga Parisi.