Sjellja e tifozëve në stadiumet e futbollit kosovar po ndëshkohet gjithnjë e më ashpër nga autoritetet. Vetëm javën e fundit janë regjistruar dy raste me gjoba të rënda në Gjakovë dhe Podujevë, duke ngjallur debat mbi qasjen ndaj publikut sportiv.
Në Gjakovë, një tifoz i Vëllaznimit u gjobit nga policia për ofendime ndaj lojtarëve të Prizrenit, gjatë ndeshjes së zhvilluar pranë palestrës “Shani Nushi”. Ai e pranoi se kishte sharë, por theksoi se nuk ishte i vetmi që veproi në atë mënyrë.
“Në 2000 vetë, më kapi mu lotaria. Unë kom shajtë, po kanë sha edhe tjerët. Unë s’kom gjujt as kurgjo”, deklaroi ai për Klan Kosova, duke shtuar se gjoba është më e lartë se paga e tij mujore dhe e vë në vështirësi për të mbajtur familjen.
Ndërkohë, në Podujevë, gjatë derbit mes Llapit dhe Dritës, dy anëtarë të “Intelektualëve” u gjobitën nga 500 euro secili. Sipas reagimit të tifo-grupit gjilanas, njëri u ndëshkua vetëm pse kishte lagur me birrë shokët gjatë festës, ndërsa tjetri pasi reagoi ndaj policisë gjatë tensioneve në tribuna. Si pasojë, tifozët e Dritës braktisën tribunat në minutat e fundit të ndeshjes.
“Intelektualët” e kanë quajtur këtë vendim të policisë “të paprecedentë dhe të patolerueshëm”, duke publikuar edhe fotografinë e gjobës prej 500 euro.
Këto raste kanë hapur diskutime të gjera për mënyrën se si po trajtohen tifozët në stadiume, me shqetësime se masat ndëshkuese mund të ndikojnë në uljen e numrit të tyre, ndonëse pjesëmarrja në tri javët e para të kampionatit ishte e lartë.
