Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Ernest Muçi largohet nga Besiktasi, por do të vazhdojë karrierën e tij në Superligën turke, tashmë me fanellën e Trabzonsporit.
Dy klubet kanë rënë dakord për huazimin e sulmuesit 24-vjeçar. Trabzonspor do të paguajë 1 milionë euro për huazimin dhe ka edhe opsionin e blerjes përfundimtare të kartonit për 7 milionë euro.
“Do të vij te Trabzonspor si huazim këtë vit, por nëse nuk gabohem, ekziston edhe një opsion blerjeje. Do të bëj çmos për të bindur ekipin të më nënshkruajë dhe t’u tregoj atyre se sa i dobishëm mund të jem. Në fund të fundit, do të shohim nëse opsioni do të ushtrohet”, ka thënë Muçi për mediat turke.
Zyrtarizmi i këtij transferimi pritet të bëhet në orët në vijim, pasi lojtari të kalojë vizitat mjekësore. Muçi u bashkua me Besiktas në vitin 2024 dhe në 41 ndeshje të luajtura me skuadrën turke ka shënuar 7 gola.