Uli Hoeneß nuk është dakord me kritikët e Bayern-it për merkaton e bërë këtë verë. Sipas presidentit të nderit të Bayern-it në këtë sesion merkatoje klubit bavarez “nuk i duhej që të shpenzonte për tre ose katër lojtarë pasi në muajin nëntor do të kemi tri rikthime të mëdha, të cilat do të jenë si blerje të bujshme në merkato pasi kemi emra si Jamal Musiala, Alphonso Davies dhe Hiroki Ito”. Këtë verë ekipi kampion i Gjermanisë tentoi që të firmoste me lojtarë si Florian Wirtz dhe Nick Woltemade.
“Tani që po flasim, kemi 15-16 lojtarë të fortë ndërsa në organikë kemi edhe 2-3 lojtarë të talentuar, të cilët trajneri do të jetë i detyruar që t’i aktivizojë”, tha Uli Hoeneß. “Nëse kjo straegji do të jetë e suksesshme atëherë do të kemi të bëjmë me sesionin më të mirë të merkatos verore në historinë e klubit”, tha numri një i Bayern-it.
Sa i përket objektivave në merkato ai pranoi se Bayern kërkonte lojtarë si Florian Wirtz apo dhe Nick Woltemade. “Sigurisht që do të kishim dashur që të afronim një lojtar si Florian, por kurrë për çmimin që e bleu Liverpool. Sa i përket Nick ne i ofruarm Shtutgartit plot 55 milionë euro, por ata pretendonin 75 ndërsa e shitën në Angli për 90 milionë euro. Me këtë gjë që bëri Newcastle tregoi se nuk ka lidhje me futbollin, ata po luajnë Monopoly”, arsyetoi Hoeneß.
73-vjeçari u ktheu një përgjigje të ashpër edhe kritikëve të huazimit të Nicolas Jackson. “Nëse dikush është mërzitur nga huazimi 16.5 milionë eurosh i Jackson le të qëndrojë i qetë sepse 3 milionë euro në këtë shifër e ka shtuar vetë lojtari. Kjo do të thotë se Bayern-it ai i ka kushtuar këtë sezon €13.5 milionë euro. Dhe kjo shifër nuk është aspak e madhe nëse do të konsideronim faktin se kur blen një lojtar për 80 milionë atëherë praktikisht e paguan 16 milion euro në vit”, shpjegoi Hoeneß, i cili tha se kushti që Bayern-i do të detyrohej ta blinte sulmuesin ishte që ky i fundit duhet që të niste 40 ndeshje si titullar në Mynih.