Sunday, 3. May 2026
Sport

Dështoi ta çonte Italinë në Botëror, Ventura jep mend: S’dua ta mendoj…

GS 08/09/2025 2 Min. Lesezeit

Ish-trajneri i Italisë, Gian Piero Ventura, ka folur për gjendjen aktuale të “Azzurrëve” dhe për atmosferën që ka krijuar Rino Gattuso në stolin e kombëtares. I ftuar në Radio Anch’io Sport në Rai Radio 1, Ventura theksoi se ndien ndryshimin e madh mes kësaj Italie dhe asaj të udhëhequr më parë nga Luciano Spalletti.

“Me Spallettin lojtarët dukeshin me kokën e rënduar, tani shoh një grup më të qetë dhe me më shumë dëshirë. Gattuso ka rikthyer besimin, shpirtin e sakrificës dhe pak gëzim në skuadër. Këto janë sinjale shumë pozitive”, – u shpreh ish-trajneri.

Ventura e di më mirë se kushdo sa dramatike mund të jetë një eliminim nga Botërori. Në vitin 2017, nën drejtimin e tij, Italia dështoi të kalonte Suedinë në “play-off”, ndërsa në vitin 2022 Mancini u eliminua nga Maqedonia e Veriut.

“Nuk dua as ta mendoj një mungesë të tretë radhazi. Kundër Izraelit nuk lejohet asnjë hap fals, ndryshe rruga bëhet shumë e vështirë”, paralajmëroi ai.

Duke folur për të ardhmen, Ventura nënvizoi se sistemi duhet të garantojë stabilitet dhe hapësira për të rinjtë: “Jam i lumtur që u thirr Pio Esposito, edhe pse ka vetëm një paraqitje në Serinë A. Por duhet kujdes, sepse rreziku është ta djegim shumë shpejt. Edhe Camarda u quajt ‘yll’ i ardhshëm, por tani po kërkon minuta në Lecce. Pa një projekt afatgjatë, rrezikojmë të përsërisim gabimet”.

Teilen: