TIRANË- Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, flet para mediave në konferencën e zakonshme para ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Letonisë.
Përballja për kuqezinjtë është e rëndësishme pasi vetëm tri pikë na mbajnë në garë për të siguruar një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, e cila zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kapiteni Berat Gjimshiti, pohoi se sfida është e vështirë dhe fokusi duhet të jetë në çdo moment, pasi përballë kanë një ekip me vlera.
“Ekipi është përgatitur mirë, nuk është e thjeshtë por jemi pozitivë. Kemi presion, kështu që përqendrimi është më i lartë. Nesër na duhen tri pikë për të pasur më shumë mundësi për kualifikimin.
Çfarë duhet bërë më shumë nga ndeshja në Riga?
I kemi parë ndeshjet e Letonisë, edhe atë me Serbinë tre ditë më parë. Në Riga kemi gabuar, nuk luajtëm mirë. Sot nuk është si disa vite më parë, nuk ka ekip që mund ta mposhtësh lehtë, e pamë edhe dje Holandën që mezi fitoi në Lituani. Gjëja më e mirë është që ende e kemi fatin në dorën tonë.
Mesazhi për tifozët?
Do japim më të mirën që kemi në dorë. Do jetë historike nëse do jemi në Kupën e Botës. Jemi gati për nesër dhe do bëjmë maksimumin për tri pikët, që ta shijojnë edhe tifozët.
Gjendja e lojtarëve dhe motivimi pas ndeshjes miqësore kundër Gjibraltarit?
Nesër do jetë në ndeshje ndryshe. Kemi pasur emra të rinj në ekip dhe kanë pasur presion. Trajneri ka parë emrat e rinj për të ardhmen. Nesër përqëndrimi do jetë më i lartë. Për kalimin në Kupën e Botës të vijnë 1 ose 2 mundësi në jetë, kjo është më e mira që kemi.
Jeni të vetëdijshëm se ky është shansi ynë i fundit?
E dimë që është rasti i fundit, vetëm nëse gabojnë të tjerët, që nuk besoj se do e bëjnë. Ne jemi mirë, të vetëdijshëm që ndeshja nesër do ndryshojë grupin dhe mund të fusim të tjerët në presion. Kjo ndeshje vlen edhe për takimet e tjera që kemi.
Më mirë kundër ekipeve të mëdha. Kemi vështirësi kundër ekipeve më të vogla?
Mund të jetë. Ekipet më të ‘vogla’ luajnë më pas. Me Serbinë kishte hapësira se kërkonin të na shënonin. Sot në futboll ka një lojë fizike, ka vështirësi dhe na duhen emra teknik më shumë se kundërshtari, kjo vlen në këto ndeshje”, tha Gjimshiti.
Lajmi në përditësim…