Marash Kumbulla është integruar më së miri në Majorka ku është një titullar fiks i ekipit ishullor. Java e radhës në La Liga i ka rezervuar ekipit të Ishujve Baleare sfidën me Espanjolin, skuadrën që i dha mundësi Kumbullës të rikuperonte terren pas eksperiencës së vështirë në Romë.
“Ndihem mirë me shokët e ekipit dhe me stafin teknik. Kemi një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin edhe në dhomat e zhveshjes jo vetëm në fushë. Punojmë shumë për takimin e radhës pasi duam ta fitojmë”, tha Kumbulla në një intervistë të dhënë ditën e sotme.
Në fjalën e tij mbrojtësi shqiptar i Majorkës nënvizoi rëndësinë që ka për atë fitorja në ndeshjen e radhës edhe pse ishullolët do të udhëtojnë drejt Katalonjës ku do të sfidojnë Espanjolin. “Ne duam që të fitojmë. Na duhet që të marrim tri pikë dhe këtë e shikoj nga dëshira që kanë lojtarët kur stërviten”, tha Kumbulla.
Në fund të prononcimit të tij Kumbulla u pyet se si do të ndihej kur të kthehej në Barcelonë. “Kam shumë afeksion për Espanjolin, kur mbërrita atje isha në një situatë të vështirë. Por trajneri dhe shokët e ekipit më ndihmuan shumë. Për mua do të jetë një ndeshje speciale, por shpresoj që të kthehem me tri pikët”, tha Kumbulla.