Saturday, 2. May 2026
Sport

“Eurobasket 2025”/ Gjermani-Turqi finalja e të pamposhturave

GS 14/09/2025 2 Min. Lesezeit

Sot në orën 20:00 në Riga të Letonisë Europa do të mësojë se cila është më e mira. Gjermania dhe Turqia do të japin gjithçka në këtë akt të fundit të Eurobasket 2025 ku do të ndeshen në këtë finale të madhe me statusin e skuadrave, të cilat nuk kanë pësuar asnjë humbje gjatë turneut, i cili ka dhuruar mjaft surpriza. Për të gjetur një precedent të tillë, pra një finale mes ekipesh që nuk kanë njohur humbje, duhet të kthehemi në 2003-in në takimin mes Lituanisë dhe Spanjës.  

Turqia zbret në parket për të bërë surprizën e madhe pasi nëse mund Gjermaninë do të shpallej për herë të parë kampione e Europës në basketboll. Për përfaqësuesen turke kjo është finalja e dytë historike pasi të parën e bëri në 2001-in kur edhe u mund nga ish-Jugosllavia. Në rast triumfi Turqia do të ishte përfaqësuesja e 16-të që fiton një trofe të tillë.  

Nga ana tjetër Gjermania numëron dy finale në Eurobasket. Të parën e arriti në 1993-in, kur nën drejtimin e Pesiç mundi Kroacinë, ndërsa të dytën, atë të 2005-ës, e humbi përballë Greqisë.

Teilen: