Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, është vënë në qendër të kritikave pas humbjes dramatike 4-3 ndaj Juventusit, e dyta radhazi për zikaltrit në Serie A.
Performanca e tij në fushë nuk ishte pa të meta, pasi disa gabime individuale çuan në raste të rrezikshme për kundërshtarin.
Pas ndeshjes, ai foli për “DAZN”, duke bërë një analizë të sinqertë të situatës.
“Kur pëson katër gola, është e qartë që vlerësimet janë pothuajse të gjitha negative. Ishim pak të pafat në disa episode, sepse mendoj se meritonim të merrnim më shumë nga kjo ndeshje. Goli i Adzic ishte një goditje e jashtëzakonshme nga distanca. Në fund ndiheshim të lodhur dhe nuk kishim freskinë e duhur. Tani duhet të rikthehemi me forcë, sepse pas tre ditësh fillon Liga e Kampionëve dhe aty nuk ka vend për gabime”, deklaroi Bastoni.
Ai theksoi se Interi bëri një paraqitje të mirë në përgjithësi, por mungesa e qetësisë në momentet vendimtare u pagua shtrenjtë.
“Luajtëm një ndeshje të shkëlqyer dhe patëm një qëndrim superior në fushë. Edhe pse ishim dy herë në disavantazh, arritëm të reagonim. Megjithatë, nuk ishim mjaftueshëm të kthjellët në fazat e fundit dhe kjo bëri diferencën. Kampionati është i gjatë, por ne duhet të bëjmë më mirë”, nënvizoi italiani.