Radio Televizioni Shqiptar rikthen në ekran një nga programet më të dashura dhe më të ndjekura nga sportdashësit shqiptarë.
“Rubrika Sportive” do të nisë transmetimin sot (14 shtator), duke sjellë jo vetëm informacionet më të fundit nga fusha e sportit, por edhe analiza të thelluara, intervista ekskluzive dhe kronika të veçanta mbi ngjarjet më të rëndësishme sportive brenda dhe jashtë vendit.
Emisioni do të prezantohet nga moderatorja e njohur Hygerta Sako, e cila do të sjellë në ekran profesionalizëm dhe pasionin e saj për emisionin e njohur.
Për RTSH Sport ajo tregoi emocionet e para për një trashëgimi të gjatë dhe me peshë në mediet sportive.
Ky sezon do të jetë me shumë risi. Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë jo vetëm rezultatet dhe statistikat e javës, por edhe historitë që fshihen pas sportistëve, ekipeve dhe sfidat e tyre.
“Rubrika Sportive” mbetet një pikë referimi për të gjithë ata që duan të jenë të informuar dhe të afruar me botën e sportit, duke e kthyer RTSH-në sërish në shtëpinë e sportdashësve shqiptarë.
/rtsh.al/