Federata e Futbollit të Serbisë ka reaguar zyrtarisht pas vendimit për të zhvendosur ndeshjen kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë nga Beogradi në Leskovac, në stadiumin “Dubocica”. Në një komunikatë publike, organi drejtues i futbollit serb falënderon si UEFA-n ashtu edhe FSHF-në për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar.
Sipas deklaratës, ky ndryshim u bë për të garantuar sigurinë e plotë të lojtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar se një përballje e tillë konsiderohet ngjarje me “rrezik të lartë”. Në njoftim përmendet qartë edhe kujtesa e hidhur e vitit 2014 në Beograd, kur takimi mes dy përfaqësueseve u ndërpre mes tensioneve të mëdha dhe incidenteve të dhunshme.
“Arsyeja kryesore është siguria. Të gjithë i kujtojmë mirë ngjarjet dhe pasojat nga Beogradi në vitin 2014. Ndryshimi i vendndodhjes në Leskovac ul ndjeshëm rrezikun e ekseseve të mundshme dhe mbron interesat e futbollit serb”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Federatës Serbe.
Në komunikatë theksohet gjithashtu se stadiumi “Dubocica” ka treguar atmosferë pozitive dhe mbështetje të fortë për ekipin serb në ndeshjet e kaluara, duke u konsideruar një vend i përshtatshëm për organizimin e sfidës delikate ndaj Shqipërisë.
Federata Serbe e Futbollit e mbylli reagimin e saj duke shprehur mirënjohje ndaj UEFA-s dhe FSHF-së për vendimin e përbashkët, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë dhe imazhit të futbollit europian.