Pasi Komisioni i Garave inicoi procedurë disiplinore, Komisioni Disiplinor ka dënuar klubin e futbollit Vushtrria për shkeljet e bëra në ndeshjen e së shtunës ndaj Lirisë.
Ndeshja i takoi Ligës së Parë, ndërsa u regjistruan disa shkelje.
Vushtrria është gjobitur me 2000 euro, ndërsa këtij klubi i është tërhequr vërejtja e fundit para suspendimit të terrenit.
Pas ndeshjes që përfundoi baras, prizrenasit dhe gjyqtarët nuk kanë mundur për 20 minuta të futen në zhveshtore. Nuk janë lejuar nga tifozët vendas.
“Në minutën e parë të ndeshjes janë hedhur në fushë mjete piroteknike (tymuese), që kanë shkaktuar ndërprerjen e lojës për rreth 30 sekonda. Në minutat 50 dhe 74 janë hedhur në fushë disa shishe plastike. Në minutën e 84-t, pas shënimit të golit nga KF Liria, një pjesë e tifozëve të Vushtrrisë kanë reaguar duke hedhur gurë, shkrepëse dhe sende të forta në drejtim të trajnerit dhe bankinës së KF Liria. Pas përfundimit të ndeshjes, nga tribuna perëndimore janë hedhur në drejtim të gjyqtarëve dhe lojtarëve të KF Lirisë shishe plastike të mbushura me zallë, gurë, shkrepëse dhe sende të tjera të forta, përveç sharjeve dhe fyerjeve të shumta verbale. Si pasojë, gjyqtarët dhe lojtarët qëndruan në fushë për rreth 20 minuta”, shkruan në arsyetimin e vendimit që u publikua të martën nga FFK-ja.
Ndërkohë kapiteni i Vushtrrisë, Daut Maxhuni është dënuar me dy ndeshje moslojë, pasi “qëllimshëm goditi dhe dëmtoi mikrofonin qëndror të produksionit”.