Momenti i shumëpritur ka ardhur dhe Edon Zhegrova ka debutuar me fanellën e Juventusit.
Ylli kosovar iu bashkua Zonjës së Vjetër në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, teksa tani ka bërë edhe debutimin për bardhezinjtë.
Zhegrova u inkuadrua në lojë në minutën e 86-të në vend të Kenan Yildiz, derisa i dha adrenalinë lojës kur Juventusi ishte duke humbur 2-4 nga Borussia Dortmundi.
Juventus u rikthye në lojë duke barazuar në fund rezultatin 4-4.
Reprezentuesi dardan në golin e katërt ishte pjesëmarrës, teksa u nis në sulm dhe pasoi te Vlahovic i cili asistoi te Kelly për të barazuar rezultatin në 4-4.
Gjatë këtyre minutave sa qëndroi në fushë, Zhegrova kishte 15 prekje të topit, derisa nga 12 pasime nëntë ishin të sakta.
Paraqitje e mirë e Zhegrovës, e para në vitin 2025 pas lëndimit që kishte pësuar sa ishte pjesë e Lille.
Në ndeshjen ndaj Veronës në Serie A, pritet që trajneri Igor Tudor t’i japë më shumë hapësira sulmuesit dardan i cili sot në 10 minuta sa ishte në fushë tregoi se është në formë të mirë.