Gjatë konferencës së prezantimit, Mourinho foli për këtë etapë të re të karrierës së tij:
“Arrij te Benfica në një fazë tjetër të karrierës sime. Si njeri jam bërë më altruist, më pak egocentrik. Nuk mendoj për veten, por për gëzimin që mund t’u sjell të tjerëve. Nuk jam unë i rëndësishmi, por ky klub. Dua ta rikthej te fitoret.”
Ai u ndal edhe te mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve:
“Më ka prekur shumë pritja e tyre. Edhe pas 25 vitesh në nivelet më të larta, nuk jam bërë imun ndaj kësaj dashurie. Për ta dua të fitoj gjithmonë. Nuk mund të pranojmë më humbje si ajo ndaj Qarabag-ut. Kjo nuk është Benfica.”
Sa i përket ndeshjes së parë që e pret këtë fundjavë në kampionat, Mourinho theksoi se nuk do të ketë ndryshime të menjëhershme:
“Nuk do të bëj revolucion. Dua të nis nga aspekti emocional. Duhet të hyjmë në fushë duke ditur se nuk jemi vetëm 11 lojtarë, por miliona, dhe të mendojmë për ta.”
Presidenti Rui Costa nuk e fshehu krenarinë për këtë rikthim:
“Është një nder i madh për ne. Mourinho nuk ka nevojë për prezantim. Është një fitues, me një karrierë të jashtëzakonshme. Rikthehet këtu, 25 vite më pas, dhe përfaqëson profilin ideal që kërkonim. Do të ishte e vështirë të gjenim dikë me një CV më të pasur.”
Me këtë kthim spektakolar, Benfica dhe tifozët e saj shpresojnë se kanë nisur një epokë të re, të udhëhequr nga një prej trajnerëve më të mëdhenj të futbollit modern.