Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazario, beson se Neymar mund të luajë një rol vendimtar në suksesin e Brazilit në Kampionatin Botëror 2026.
Sulmuesi 33-vjeçar nuk ka luajtur për kombëtaren që nga tetori i vitit 2023 për shkak të dëmtimeve të shumta, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti ka përsëritur se për t’u rikthyer në ekip, ai duhet të jetë në gjendje optimale fizike.
“Brazili mund të arrijë gjithçka me lojtarët që ka në dispozicion. Neymar mund të jetë, dhe unë besoj se do të jetë, një lojtar i rëndësishëm në Botëror. Të gjithë duan një Neymar 100%. Kjo është ajo që kërkon Ancelotti dhe ajo që do edhe ai vetë. Unë e shoh tek ai një dëshirë të fortë për të qenë pjesë e Botërorit dhe për të ndihmuar kombëtaren,” – tha Ronaldo.
Neymar, golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola, synon të marrë pjesë në Botërorin e katërt të tij. Ai u rikthye te Santosi në janar, pas ndërprerjes së kontratës me Al Hilal, por edhe aty është penguar nga dëmtimet: një këputje e ligamentit të kryqëzuar në 2023, një dëmtim në kofshë në prill dhe një tjetër problem muskulor muajin e kaluar.
Forma e dobët e Santosit në kampionat, aktualisht vetëm një pikë mbi zonën e rënies pas barazimit 1-1 me Atletico Mineiro – ka shtuar presionin ndaj Neymarit, por Ronaldo mendon se kritikat janë të tepruara:
“Shpresoj që të jetë 100%. Ai po vjen nga një dëmtim shumë serioz dhe ajo që po kalon është e natyrshme: riadaptim dhe gjetje e ritmit. Kritikat janë të ekzagjeruara, por pritshmëritë ndaj tij gjithmonë janë të larta. Neymar e di shumë mirë çfarë duhet të bëjë për të qenë gati në Botëror.”
Brazili e ka siguruar pjesëmarrjen në turneun e vitit të ardhshëm, edhe pse e mbylli fushatën kualifikuese në vendin e pestë, rezultati më i dobët në historinë e tyre. Ata nuk e kanë fituar titullin që nga viti 2002, ndërsa më afër kanë qenë në 2014, me vendin e katërt si pritës.
Ronaldo beson se me Carlo Ancelottin në stol, Seleção ka garanci:
“Ancelotti është një person i mrekullueshëm, i cili sjell harmoni dhe motivim. Taktikisht është brilant, një fitues. Ai dhe kjo kombëtare kanë gjithçka që u duhet për të pasur sukses.”