Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka takuar të enjten në mbrëmje Arbër Zenelin, sulmuesin që dikur ishte yll te Kosova.
Zeneli, tani 30-vjeçar, është futbollist i Elfsborgut në elitën e futbollit suedez.
Bashkë me të në takim ishte edhe babai Arbërit, Avni Zeneli, si dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala. Arbër Zeneli ishte lënduar në gjurin e këmbës së djathtë në muajin qershor të vitit 2019 në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020” ndaj Malit të Zi. Deri para lëndimit, Zeneli me golat e tij fitoi zemrat e shumë tifozëve të Kosovës. Ai ishte prej më të mirëve, por më pas pësoi rënie në karrierë. Ai ka 33 paraqitje për Kosovën, ndërsa ka kontribuuar me nëntë gola e katër asistime.
“Sot pata kënaqësinë të takoj një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një djalë fantastik, anëtarin e ekipit tonë kombëtar, Arbër Zenelin. Me Arbërin folëm për karrierën e tij, rikuperimin pas lëndimit, kthimin në nivelin elitar, por edhe evokuam kujtime nga ndeshjet dhe paraqitjet e tij të paharrueshme me ekipin kombëtar, me shpresën se së shpejti do të jetë sërish pjesë e kombëtares sonë. Arbëri mbetet një aset i çmuar për Kosovën”, ka shkruar Ademi të enjten mbrëma.