Federata e Futbollit të Malit të Zi ka bërë të ditur zyrtarisht se Mirko Vučinić është trajneri i ri i kombëtares. Ish-sulmuesi i njohur, që ka lënë gjurmë si te Roma ashtu edhe tek Juventusi, do të drejtojë tashmë ekipin kombëtar të vendit të tij.
Në njoftimin e federatës theksohet rëndësia e këtij emërimi, duke e cilësuar Vučinić-in si një figurë emblematike të futbollit malazez:
“Ka lajme që nuk merren thjesht si informacion, por si ndjenjë. Mirko u bashkohet emrave më të mëdhenj të futbollit tonë, duke zënë vend në ‘Malin Rushmor’ të sportit malazez. Ai ka fituar respektin e Italisë që nga koha te Lecce, më pas te Roma përkrah ‘Princit të Romës’, dhe si pjesë e dominimit të Juventusit”.
Federata kujtoi gjithashtu momentet historike të tij me fanellën e Malit të Zi:
“Ka realizuar golin e parë në historinë e kombëtares sonë, atë të paharrueshmin kundër kampionëve të botës në fuqi në ‘Via del Mare’, si dhe golat vendimtarë ndaj Uellsit dhe Zvicrës. Me të në fushë kemi ëndërruar dhe nuk kemi pasur frikë nga askush”.
Vučinić, i cili ka qenë edhe kapiteni i parë i Malit të Zi, shihet si figura ideale për të udhëhequr gjeneratën e re të futbollistëve. “Nga sot është trajneri ynë, lideri ynë, Mirko Vučinić”, përfundon deklarata.