Legjenda e Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka folur përtej futbollit në një intervistë të dhënë për BBC Breakfast, duke prekur tema personale dhe të ndjeshme që e kanë shoqëruar në vitet e fundit.
Ish-trajneri i famshëm ka treguar për betejën e vëllait të tij Martin, vetëm një vit më i ri se ai, i cili vuan nga demenca:
“Martin nuk është keq dhe nuk po përkeqësohet, gjë që është shumë inkurajuese. Më njeh ende, por memoria nuk ka kujtesë të mirë. Unë përpiqem ta telefonoj çdo ditë. Duhet të jem shpesh në kontakt me të.”
Ferguson, që në dhjetor mbush 84 vjeç, nuk fshehu as shqetësimet e tij për kujtesën:
“Kur arrin në këtë moshë, normalisht fillon të shqetësohesh nëse kujtesa do të të mbajë. Ka momente që harroj gjëra, ashtu si ndoshta i kam harruar edhe 20 apo 30 vite më parë. Askush nuk ka fatin e një kujtese 100%. Por gjatë kohës që isha trajner, memoria ishte thelbësore. Tani mundohem ta mbaj gjallë mendjen: bëj shumë fjalëkryqe, këndoj, lexoj dhe studioj historinë, sidomos atë të luftës civile amerikane. Madje kam vizituar disa prej fushave të betejave në SHBA dhe i kam shijuar shumë.”
Në intervistë, Ferguson foli edhe për periudhën e vështirë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij, Cathy, dy vite më parë:
“Pas humbjes së saj u mbylla shpesh në shtëpi. Më pas vendosa të shpërngulesha në fshat, pranë shtëpisë së djalit tim. Por të rrish vetëm duke parë televizor nuk mjafton. Për këtë arsye vendosa të udhëtoj. Kam qenë në Arabinë Saudite, në Hong Kong dhe në Bahrein. Përveç kësaj, angazhimi me grupet që ndihmojnë njerëzit me demencë më ka bërë shumë mirë. Është një aktivitet që e ndiej dhe më pëlqen.”
Me sinqeritetin e tij, Sir Alex Ferguson tregon se edhe pas një karriere të lavdishme, sfidat e jetës mbeten po aq të mëdha dhe se forca për t’i përballuar vjen nga angazhimi, familja dhe dashuria për të tjerët.