Për Armando Brojën takimi i vlefshëm për turin e tretë të Carabao Cup mes Burnely-t dhe Cardiff-it do të jetë një mundësi e mirë për të parë se ku qëndron në planet e trajnerit Scott Parker.
Siç dihet ky i fundit ka aktivizuar 24-vjeçarin vetëm për 64’ këtë sezon. Broja ka luajtur 63’ në takimin e vlefshëm për turin e dytë të Carabao Cup përballë Derby Country ndërsa 1’ ka qenë në fushë në ndeshjen përballë Liverpool të vlefshme për Premier League.
Në disa ndeshje të Premier League, Broja nuk është grumbulluar me motivacionin se nuk është ende gati fizikisht. Ndërsa në duelin e fundit të Burnley-t, atë kundër Nottingham Forest, shqiptari rezultoi të ishte zgjedhje e tretë në sulm pasi Parker nuk e aktivizoi për asnjë moment.
Edhe pse është ende herët për të menduar për formacionet e mundshme sot në mbrëmje ndeshja Burnley-Cardiff do të ishte një mundësi e artë për Brojën, i cili nëse do të luante do të kishte mundësi që të rikuperonte disi terren përballë rivalëve në ekip për një vend në formacion.