Kryeredaktori i France Football, Vincent Garcia, ka zbuluar detaje mbi votimin e Topit të Artë 2025, i cili kurorëzoi Ousmane Dembele si futbollistin më të mirë në botë, pasardhës i spanjollit Rodri.
Në një intervistë për L’Equipe TV, Garcia e përshkroi fitoren e francezit si të pakontestueshme:
“Nuk ishte garë, sinqerisht. Ousmane Dembele fitoi me një diferencë të madhe dhe me mbështetjen dërrmuese të votuesve tanë. Ai është një fitues që përfaqëson bindshëm zgjedhjen e gazetarëve.”
Garcia theksoi se sezoni i fortë i Paris Saint-Germain nuk ia vështirësoi aspak rrugën Dembeles drejt trofeut, pavarësisht se edhe disa prej shokëve të tij të skuadrës morën vota:
“Vitinha arriti disa vende të para, Achraf Hakimi gjithashtu, por shumë pak. Kjo nuk ndikoi tek rezultati përfundimtar.”
Sipas tij, fitorja e Dembeles ishte unanime në të gjitha kontinentet:
“Ai fitoi me një diferencë të madhe në Afrikë, Evropë, Amerikën e Jugut dhe Amerikën e Veriut. Një Top i Artë i qartë dhe pa mëdyshje.”
Të gjitha detajet e plota të votimit do të publikohen të shtunën në edicionin special të revistës France Football, ku do të zbulohet renditja e plotë e kandidatëve.