Trajneri i kombëtares së Portugalisë, Roberto Martínez, ka qenë viktimë e një grabitjeje në banesën e tij në Cascais, në periferi të Lisbonës. Sipas medieve portugeze, ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar, ndërsa hajdutët arritën të largohen me bizhuteri dhe ora të shtrenjta, me një vlerë të përllogaritur rreth 100 mijë euro.
Sipas CNN Portugal, autorët dyshohet se hynë në shtëpi përmes kuzhinës, ndërsa SIC Notícias raportoi se ata thyen një dritare për të siguruar hyrjen.
Martínez, 52 vjeç, është në krye të Portugalisë që prej janarit të vitit 2023. Aktualisht, ai po përgatit skuadrën për dy ndeshjet e ardhshme të kualifikueseve të Botërorit 2026, kundër Irlandës më 11 tetor dhe Hungarisë më 14 tetor.
Policia portugeze ka nisur hetimet, por deri tani nuk janë dhënë detaje mbi identitetin e grabitësve.