Ndeshja e ardhshme e Champions League mes Napolit dhe Eintracht Frankfurtit po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa autoritetet italiane kanë vendosur të ndalojnë udhëtimin e tifozëve gjermanë drejt qytetit të jugut. Ky vendim ka sjellë reagimin e fortë të klubit gjerman, i cili e konsideron këtë masë si të padrejtë dhe tashmë të kthyer në praktikë të zakonshme në futbollin italian.
Philipp Reschke, anëtar i këshillit drejtues të Eintracht-it, pas takimit me Ministrinë e Brendshme të Italisë, u shpreh:
“Duhet të pranojmë me keqardhje se strategjia për të përjashtuar tifozët e huaj nga ndeshjet me rrezik të lartë është bërë tashmë praktikë e zakonshme në Itali, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Ne e dimë që, duke pasur parasysh incidentet e vitit 2023, kjo ndeshje do të ishte me rrezikshmëri të lartë, por ndalimi i tifozëve mbetet përgjigjja e gabuar.”
Autoritetet italiane kanë paralajmëruar edhe masa shtesë sigurie për të penguar sa më shumë mbërritjen e tifozëve gjermanë në Napoli për ndeshjen e fazës së grupeve që do të luhet më 4 nëntor. Eintracht-i ka bërë të ditur se do të shqyrtojë rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë dekret.
Tifozët e Eintracht Frankfurt-it janë ndër më të frikshmit në Europë, të njohur për udhëtimet masive dhe incidentet e shumta. Kujtojmë se në mars të vitit 2023, në Napoli pati përplasje të dhunshme mes ultrasve gjermanë dhe forcave të rendit, me makina të djegura e lokale të shkatërruara, ndërsa një vit më parë tensionet ishin të larta edhe në Romë, në ndeshjen e Europa League kundër Romës.
Ky vendim pritet të ngrejë debate të forta mbi mënyrën si trajtohen tifozët në futbollin italian dhe mbi balancën mes sigurisë dhe lirisë së tifozëve për të ndjekur ekipin e tyre.