Como shkëlqeu në “Sinigaglia”, duke eliminuar Sassuolon me një fitore bindëse 3-0 në ndeshjen e 1/16-ave të Kupës së Italisë. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas e mbylli llogarinë që në pjesën e parë, falë një loje sulmuese të pandalshme.
Heroi i mbrëmjes ishte Jesus Rodriguez, autor i një dygolëshi. Ai zhbllokoi sfidën që në minutën e 2-të pas një asisti të Douvikas, ndërsa në të 41-ën realizoi edhe golin e tretë të vendasve, duke vulosur ndeshjen. Në mes, në minutën e 24-t, ishte radha e vetë Douvikas për të gjetur rrjetën, pas një kombinimi të bukur me Baturinën.
Në fraksionin e dytë, Como administroi avantazhin pa vështirësi, ndërsa Sassuolo i drejtuar nga Fabio Grosso nuk arriti kurrë të hynte në lojë, duke dhënë një paraqitje të zbehtë.
Me këtë sukses, Como siguron kualifikimin në 1/8 e finales, ku do të përballet me Fiorentinën e Stefano Piolit, ndërsa Sassuolo largohet nga kompeticioni pa lënë gjurmë.