Një nga emrat më të njohur të futbollit zviceran, Pajtim Kasami, është lojtari më i ri i FC Winterthur. Sipas burimeve të “Blick”, mesfushori 33-vjeçar ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit, duke u bërë përforcimi më i madh i ekipit pas përfundimit të afatit kalimtar.
Kasami, kampion bote me Zvicrën U-17 në vitin 2009, vjen pas një periudhe të vështirë. Fillimisht, u largua nga Sampdoria, ku kaloi nga titullar në lojtar jashtë planeve, dhe më pas nuk arriti të rigjej formën te ish-klubi FC Sion, ku nuk mori besimin e trajnerit Didier Tholot në betejën për mbijetesë. Largimi nga Sioni i hapi rrugën Winterthurit për të përfituar nga rregulli që lejon nënshkrimin me lojtarë të lirë edhe pas mbylljes së merkatos.
Gjatë verës, Kasami qëndroi në formë pranë familjes në kantonin e Cyrihut, ndërsa refuzoi disa oferta që nuk i përshtateshin. Sipas “Blick”, ai ka nisur stërvitjet me ekipin ditët e fundit dhe bashkëpunimi u konkretizua me një marrëveshje.
“Jam 33 vjeç, jam në formë dhe shumë i motivuar. Dua të luaj me çdo kusht,” kishte deklaruar ai për “Blick” në korrik. Tani duket se kjo dëshirë po bëhet realitet.
Për FC Winterthur, ky është një përforcim me shumë vlerë – jo vetëm në aspektin teknik dhe përvojën ndërkombëtare që sjell Kasami, por edhe për rolin udhëheqës që ai mund të ketë brenda dhe jashtë fushës.
Ky transferim është gjithashtu një rikthim simbolik për Kasamin. Ai u rrit si futbollist pikërisht në akademinë e FC Winterthur, përpara se të kalonte te Grasshoppers në vitin 2006. Më vonë, karriera e tij e çoi në Serie A me Palermo dhe Lazio, në Premier League me Fulham, në Superligën greke me Olympiakos – ku fitoi dy kampionate dhe një Kupë – dhe më pas në disa klube të Super Leagues zvicerane si Luzern, Sion dhe FC Basel.
FC Winterthur bëhet klubi i katërt për Kasamin në elitën zvicerane, ndërsa pritet që përvoja dhe cilësitë e tij të ndihmojnë ndjeshëm skuadrën në objektivat për këtë sezon.