Java e pestë e Abissnet Superiore ofron takimin interesant mes Tiranës dhe Dinamos, të cilat do të përballen me njëra-tjetrën me synimin e vetëm për tri pikët.
Starti i dobët në këtë sezon ka bërë që kjo ndeshje të luhet nën trysni prej të dy ekipeve, të cilat vetëm një fitore u rikthen qetësinë e humbur prej javësh.
Për të prezantuar këtë ndeshje ditën e sotme trajneri i Tiranës, Boldrin tha se: “Derbi është një ndeshje shumë e rëndësishme krahasuar me ndeshjet e tjera, kemi folur me lojtarët këto ditë, sigurisht me lojtarët shqiptarë edhe më shumë përsa i përket pjesës së ndjenjës. Kemi punuar shumë mirë, sot kemi stërvitjen e fundit që është para ndeshjes, është një ndeshje e vështirë, në një moment të vështirë, por ne jemi gati, nuk duhet të ulim kokën duke pritur që dikush të na ndihmojë, jemi vetëm ne që duhet ta ngremë kokën dhe të vazhdojmë përpara”.
Sa i përket numrave zhgënjyes që ka koleksionuar Tirana këtë sezon, trajnerin italian fton për qetësi dhe kërkon kohë. “Nuk mund të shikojmë statistika pasi ndeshjet ndryshojnë gjithmonë nga njëra tjetra, gjatë ndeshjeve dhe minuta ndryshon skuadra në taktikë, si vendosen lojtarët, ka shumë variacione. Është shumë shpejt akoma pasi e thash pak më parë që është vetëm fillimi, Dinamo ka një skuadër të ndërtuar për të arritur katërshen e parë”, tha trajneri i Tiranës.