Janë publikuar vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së për javën që lamë pas në futbollin shqiptar. Sjellja e gabuar e spektatorëve i ka kushtuar disa klubeve të elitës, pasi Elbasani, Teuta, Vllaznia dhe Tirana janë ndëshkuar me gjobë. Klubi i Tiranës urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Arena Egnatia” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
Më poshtë vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës:
- AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- KF Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, duke hedhur sende në fushën e lojës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
- KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, si dhe duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Arena Egnatia” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
- KF Pogradeci, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve kundërshtarë dhe zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- Zyrtari i Besa FC, Shpëtim Duro, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së shkeljes të nenit 77 të Rregullores së Aktivitetit, duke refuzuar daljen në intervistë pas ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
- KS Korabi, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.
- Zyrtari i FC Dinamo City U-19, Artan Sakaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.