Kampionët në fuqi të Abissnet Superiore vizitojnë nesër Vlorën me moral të lartë pasi në dy javët e fundit kanë marrë dy fitore duke mundur Bylisin dhe Tiranën e duke ruajtur portën e paprekur dhe shënuar në total 3 gola. Për këtë motiv Edlir Tetova u shpreh sot përballë gazetarëve se skuadra e tij po gjen ritmin dhe la të kuptohej se është gati që të futet në garë për titull edhe pse nisi kampionatin me një humbje (përballë Vllaznisë) dhe një barazim (përballë AF Elbasanit).
“Flamurtari është një ekip që kërkon të administrojë lojën, me ritmin do të mundohemi t’ia bëjmë pak më të vështirë. Skuadra ime javë pas jave mendoj se do të gjejë akoma më shumë ritmin e munguar. Na duhet edhe pak kohë për të parë këtë gjë. Fatmirësisht grupin e lojtarëve e kam të plotë dhe nuk kemi asnjë mungesë. Na duhet identitet dhe besim për të shkuar te gola. Nuk besoj se skuadrat kanë presion, pasi është fillimi i kampionatit dhe ka shumë ndeshje përpara”, komentoi Tetova.