Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, Granit Xhaka, e ka festuar ditëlindjen në mënyrën më të mirë të mundshme me një paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren e madhe të Sunderlandit në udhëtim kundër Nottingham Forest në Ligën Premier.
Xhaka ishte ndër lojtarët më të spikatur në fushë dhe për performancën e tij u vlerësua me notën 8.5 nga platforma “SofaScore”.
Ai asistoi golin e vetëm të ndeshjes, të shënuar nga Alderete në minutën e 38-të, një gol që rezultoi vendimtar për tre pikët e Sunderlandit.
Në këtë sfidë, Xhaka krijoi një rast të madh për shënim, realizoi 26 pasime të sakta nga 31 tentativa dhe ndërhyri plot tetë herë për të larguar rrezikun nga zona.
Falë kësaj paraqitjeje, ai u rendit si lojtari i tretë më i vlerësuar i ndeshjes, pas portierit Roefs (9.1) dhe shënuesit të golit, Alderete (8.7).
Kjo fitore e çon Sunderlandin në një fillim historik në Ligën Premier — pas gjashtë javësh, ata kanë grumbulluar 11 pikë dhe aktualisht renditen në vendin e tretë të tabelës. /ATVLIVE.TV