Pak minuta pasi u konfirmua ndarja e tij me Gjilanin, trajneri Ardian Nuhiu ka falënderuar të gjithë në klub për mbështetjen dhe besimin që e pati gjatë kësaj kohe.
Nuhiu edhe pse kishte kontratë me Gjilanin edhe për sezonin e ardhshëm, me marrëveshje të dyanshme është larguar nga klubi, i cili këtë sezon nuk ka pasur rezultate të mira, duke regjistruar 4 humbje në 7 ndeshjet e para.
Para Gjilanit, Nuhiu ka punuar edhe te Drita, skuadër me të cilën e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës.
Në mesazhin e tij, Nuhiu ka falënderuar presidentin, drejtorin, drejtuesit menaxherial, stafin e tij, stafin mjekësor, ekonomët, futbollistët dhe tifozët e mrekullueshëm të klubit.
Mesazhin, Nuhiu e ka mbyllur me fjalët se do të jetë mbështetës i madh i klubit dhe se “Gjilani ka objektiva të mëdha dhe po bën një punë të shkëlqyer për të ecur përpara”.