Sulmuesi brazilian Philippe Coutinho mund të largohet sërish nga Brazili, vetëm një vit pas rikthimit të tij te Vasco da Gama.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, mesfushori ofensiv është futur në shënjestrën e disa klubeve nga Arabia Saudite, të cilat janë të gatshme të ofrojnë mes 3 deri në 4 milionë dollarë për kartonin e tij.
Kontrata e Coutinhos me Vascon skadon pas pak muajsh, gjë që e bën të mundur një marrëveshje të shpejtë për transferimin e tij në Lindjen e Mesme.
Ky hap do të shënonte një tjetër kapitull në karrierën e tij, pasi 32-vjeçari kishte vendosur të rikthehej në klubin ku u rrit si futbollist, pas një periudhe të gjatë në Evropë.
Para rikthimit në Brazil, Coutinho ka pasur një karrierë të pasur në kontinentin e vjetër, duke veshur fanellat e Liverpoolit, Barcelonës dhe Bayern Munich. Kulmin e karrierës e arriti me Liverpoolin, ndërsa transferimi te Barcelona për mbi 120 milionë euro nuk rezultoi i suksesshëm.