Borussia Monchengladbach mund të ketë së shpejti një emër të madh në stolin e saj. Legjenda e Real Madridit, Raul Gonzalez, është një nga opsionet kryesore për të marrë drejtimin e skuadrës gjermane pas largimit të trajnerit Gerardo Seoane më 16 shtator.
Sipas “SPORT BILD”, agjenti i tij, Gines Carvajal, ka propozuar emrin e Raulit te drejtuesit e klubit. Spanjolli dha dorëheqjen këtë verë pas gjashtë vitesh në krye të Real Madrid Castilla dhe tashmë po pret një sfidë të re, ku Bundesliga shihet si destinacioni ideal.
Raul ka disa avantazhe që e bëjnë tërheqës për Gladbach: ai flet rrjedhshëm gjermanisht nga koha kur luajti me Schalke 04 (2010–2012), njihet për seriozitetin dhe punën e tij si trajner, si dhe nuk ka kërkesa të larta financiare.
Aktualisht, skuadra është nën drejtimin e përkohshëm të Eugen Polanskit, pas humbjes spektakolare 4-6 ndaj Eintracht Frankfurt. Por emërimi i Raulit shihet si një mundësi për të sjellë freski dhe për të hapur një kapitull të ri, duke ndjekur shembullin e suksesit të Xabi Alonsos te Bayer Leverkusen.
Kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Raulit, me gjasat që ai të marrë drejtimin e skuadrës gjermane që po kërkon stabilitet dhe ambicie të reja.