Kupa e Botës U20, e cila po zhvillohet në Kili nga 27 shtatori deri më 19 tetor 2025, ka sjellë një risi historike në botën e futbollit. Për herë të parë, FIFA ka prezantuar “kartonin e gjelbër”, një rregull i ri që u jep trajnerëve dhe kapitenëve mundësinë të kërkojnë rishikim të një vendimi përmes VAR-it.
Ky sistem u përdor për herë të parë në ndeshjen mes Marokut dhe Spanjës. Në minutën e 78-të, trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, aktivizoi kartonin e gjelbër pas një penalltie të akorduar për spanjollët. Pas shqyrtimit të episodit me ndihmën e teknologjisë, vendimi u ndryshua: penalltia u anulua, ndërsa lojtari spanjoll u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.
Sipas rregullores së re, “kartoni i gjelbër” mund të përdoret vetëm një herë për çdo pjesë loje dhe vetëm në raste vendimtare si: penallti, kartonë të kuq, gola të dyshimtë apo identitet i gabuar i lojtarëve.
FIFA e ka vënë këtë sistem në fazë testimi, duke e aplikuar vetëm gjatë Kupës së Botës U20 në Kili. Pas përfundimit të turneut, pritet një analizë e detajuar për të vendosur nëse kjo risi do të zgjerohet edhe në garat e tjera ndërkombëtare dhe kampionatet kryesore evropiane.
Ky inovacion, i njohur edhe si Football Video Support (FVS), synon të thjeshtojë përdorimin e VAR-it, të ulë kostot dhe të reduktojë ndërprerjet gjatë lojës.