Karl-Heinz Rummenigge nuk i ka kursyer kritikat ndaj shifrave të çmendura që po qarkullojnë në futbollin modern, duke marrë si shembull transferimin e Nick Woltemade. Sulmuesi gjerman spikati në Kampionatin Evropian U-21 këtë verë dhe ishte në shënjestër të shumë klubeve, mes tyre edhe Bayerni.
Megjithatë, bisedimet mes bavarezëve dhe Stuttgart-it u ndërprenë për shkak të kërkesave shumë të larta financiare. Në fund, Woltemade përfundoi te Newcastle për një shifër rekord prej rreth 90 milionë eurosh.
Rummenigge e komentoi kështu situatën:
“Kur doli historia e Woltemade dhe kërkesat e Stuttgart-it, u thashë Uli Hoeness, Herbert Hainer, Jan Dreesen dhe Max Eberl: ‘Djem, po arrijmë shifra që nuk i gjej më të pranueshme. Nuk duhet të plotësojmë çdo kërkesë vetëm për të kënaqur dikë, sidomos financuesit e Stuttgart-it’. Në fund, Woltemade shkoi në Angli për edhe më shumë para. Nuk më mbetet veçse të përgëzoj Stuttgart-in që gjeti një idiot të gatshëm të paguante aq shumë, sepse ne në Mynih sigurisht nuk do ta bënim këtë.”
Deklarata e tij ka ngjallur shumë reagime, duke rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për çmimet gjithnjë e më të larta në merkato.