FIFA ka vendosur përfundimisht rreth shikuesve sa i përket ndeshjes Serbi – Shqipëri.
Komisioni Disiplinor i shtëpisë së futbollit botëror në fakt e ka dënuar Federatën serbe të Futbollit me mbylljen e pjesshme të stadiumit të Leskocit, aty ku do të zhvillohet ndeshja mes serbëve dhe shqiptarëve.
Ky vendim erdhi pas trazirave dhe incidenteve që ndodhën në Beograd në muajin e kaluar në ndeshjen mes Serbisë dhe Anglisë.
Prandaj, ndonëse vendimi i FIFA-s nuk është bërë ende publik dhe zyrtar, mediumi serb “Sportklub” raporton se në stadium për ndeshjen e 11 tetorit, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026, do të jenë prezentë vetëm 6,500 shikues nga 8136 sa është kapaciteti i stadiumit të Leskocit.
Pra, FIFA e ka dënuar Federatën Serbe me mbylljen e 20 për qind të stadiumit, ndërkohë që e ka gjobitur me të holla.
Serbët kishin kërkuar vetë nga FIFA për zhvendosjen e lojës nga Beogradi në Leskoc shkaku i situatës së tensionuar dhe të paqëndrueshme shkaku i protestave të vazhdueshme në kryeqytetin serb.
Në rast të ndonjë incidenti të radhës në lojën me Shqipërinë, FIFA ia ka tërhequr vërejtjen Federatës Serbe, të cilën e ka paralajmëruar me dënime edhe më të rënda.
Shqipëria dhe Serbia barazuan në Tiranë në ndeshjen e parë mes tyre, ndërsa ajo e Leskocit konsiderohet si një finale mes këtyre dy Kombëtareve, të cilat e synojnë vendin e dytë në grup, i cili çon në “play-off” dhe jep shpresa për kualifikim eventual në Kupën e Botës 2026. /Gazeta Express