Kampionati kroat i futbollit këtë javë ka pasur një prani të ndjeshme shqiptare, teksa dy lojtarë nga Shqipëria janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës, falë paraqitjeve të shkëlqyera me ekipet e tyre përkatëse.
Arbër Hoxha, anësori i talentuar i Dinamos së Zagrebit dhe njëkohësisht pjesë e Kombëtares shqiptare, ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren bindëse 4-1 ndaj Slaven Belupos. Me një asist të saktë dhe një gol të realizuar, 26 vjeçari tregoi edhe një herë formën e tij të lartë dhe rëndësinë që ka për skuadrën kryeqytetase. Performanca e tij nuk kaloi pa u vlerësuar nga analistët sportivë në Kroaci, të cilët e përfshinë në formacionin e javës, duke i dhënë një notë të lartë, 8.6, që pasqyron ndikimin e tij në lojë.
Ndërkohë, edhe Adrion Pajaziti, një tjetër lojtar shqiptar që po shkëlqen në elitën e futbollit kroat, u dallua këtë javë me një paraqitje solide për Hajduk Split në ndeshjen kundër Lokomotivës së Zagrebit, e cila përfundoi me fitoren 2-0 për ekipin nga Spliti. 22 vjeçari u shqua për shpirtin luftarak dhe kontributin e tij në ndërtimin e aksioneve sulmuese, duke ndihmuar skuadrën që të sigurojë tri pikët e plota dhe të mbajë ritmin në garën për vendet e para në tabelë.
Prania e dy futbollistëve shqiptarë në formacionin e javës jo vetëm që është një tregues i rritjes së tyre si individë, por edhe një lajm pozitiv për përfaqësuesen shqiptare, e cila do të ketë në dispozicion lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare dhe në formë të lartë për sfidat e ardhshme. /ATVLIVE.TV