Fundjava e fundit në kampionatet elitare evropiane ka qenë mjaft e suksesshme për futbollistët shqiptarë, të cilët kanë spikatur me gola, asistime dhe paraqitje të shkëlqyera.
Granit Xhaka ishte ndër më të dalluarit, duke dhuruar një asistim vendimtar në fitoren e Sunderlandit 0-1 në udhëtim ndaj Nottingham Forest. Performanca e tij e shkëlqyer e futi mesfushorin shqiptar në formacionin e javës në Premier League sipas SofaScore.
Edhe Medon Berisha bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në Serie A, duke dhuruar një asistim të rëndësishëm që i shpëtoi Leccen nga humbja ndaj Bolognës (2-2). Si Xhaka, edhe ai u përfshi në formacionin e javës në kampionatin italian.
Nga Kroacia vjen një tjetër lajm i mirë: Arbër Hoxha shkëlqeu me Dinamo Zagrebin, ku shënoi një gol dhe dhuroi një asistim në fitoren 4-1 ndaj ish-skuadrës së tij, Slaven Belupo. Falë paraqitjes së tij, Hoxha u përfshi në formacionin më të mirë të javës në Kroaci.
Këto arritje dëshmojnë edhe një herë se futbollistët shqiptarë po bëhen gjithnjë e më shumë protagonistë në ligat më të forta të Evropës.