Diego Simeone ka mësuar dënimin e tij nga UEFA pas incidentit të ndodhur në ndeshjen ndaj Liverpoolit në “Anfield”, ku Atletico Madrid pësoi humbje 3-2 në Ligën e Kampionëve.
Trajneri argjentinas u përjashtua në minutat e fundit të takimit, pas një përplasjeje të ashpër verbale me tifozët vendas, menjëherë pas golit vendimtar të Virgil Van Dijk në minutën e 92-të. I irrituar nga mënyra si skuadra e tij humbi ndeshjen, Simeone reagoi ndaj tifozëve të Liverpoolit që ndodheshin pranë pankinës, duke marrë kartonin e kuq.
Pas hetimit, UEFA vendosi ta pezullojë Simeonen për një ndeshje në Ligën e Kampionëve, si ndëshkim për sjelljen e tij. Përveç kësaj, Liverpool është gjobitur me 4,000 euro për shkak të hedhjes së objekteve në fushë nga tifozët.
Ndërkohë, një tifoz i Liverpoolit, i cili u bë viral në rrjetet sociale për provokimet ndaj Simeones, ka mohuar se ka përdorur komente raciste apo tejet ofenduese gjatë incidentit.
Në raundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, Liverpool do të udhëtojë drejt Turqisë për t’u përballur me Galatasarayn, ndërsa Atletico Madrid pret Eintracht Frankfurtin.