Barcelona po shijon një fillim sezoni premtues dhe një nga emrat që po spikat më shumë është Marcus Rashford. Sulmuesi anglez, i ardhur në huazim, është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në lojën e katalanasve falë golave dhe asistimeve të tij.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur hapur për situatën e tij kontraktuale, duke theksuar se klubi ka bërë një lëvizje të zgjuar në merkato:
“E morëm Marcus-in me një huazim të thjeshtë me të drejtë blerjeje. Çmimi i kartonit të tij nuk është shumë i lartë”.
Megjithatë, pavarësisht entuziazmit për performancat e Rashford-it, vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e tij ende nuk është marrë.
“Nuk ka penalitete në rast se nuk e blejmë përfundimisht. Për momentin jemi shumë të kënaqur, por vendimi përfundimtar për qëndrimin e tij do të merret më vonë”, – ka sqaruar Deco.
Kështu, ndërsa tifozët e Barcelonës shijojnë momentet magjike të Rashford-it në fushë, dilema për të ardhmen e tij mbetet e hapur dhe do të përcaktohet në muajt e ardhshëm.