Kuqezinjtë nga Tetova do të zbresin nesër në fushë për ndeshjen më të madhe në historinë e klubit, teksa sfidojnë Rayo Vallecanon në stadiumin “Campo de Fútbol de Vallecas”. Për herë të parë, Shkëndija debuton në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke shënuar një arritje historike për futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Trajneri Jeton Beqiri, në prag të ndeshjes, theksoi rëndësinë e madhe të këtij dueli, si për klubin ashtu edhe për futbollin shqiptar në rajon. Ai pranoi se Rayo Vallecano është favorit në letër, por shtoi se Shkëndija do të kërkojë me çdo kusht të japë maksimumin për një paraqitje dinjitoze.
“Është një ndeshje që ka peshë të madhe për ne. Rayo është favorit, por ne do të përpiqemi të respektojmë fanellën dhe të bëjmë më të mirën tonë në fushë”, u shpreh Beqiri.
Në të njëjtën linjë foli edhe kapiteni Besart Ibraimi, i cili e cilësoi këtë sfidë si një moment të paharrueshëm për karrierën e çdo futbollisti të Shkëndijës.
“Kemi përballë një kundërshtar të fortë nga La Liga, por në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri. Do të luftojmë për të nderuar klubin dhe tifozët tanë”, tha sulmuesi tetovar.
Ndeshja do të zhvillohet në një prej stadiumeve më karakteristikë të Madridit, që njihet për atmosferën elektrizuese të tifozëve vendas. Për Shkëndijën, kjo sfidë nuk është thjesht një hap në arenën evropiane, por edhe kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë, që tashmë e ka çuar klubin në një tjetër nivel historie dhe krenarie.