Piloti i Ferrarit, Charles Leclerc, ka folur në prag të Çmimit të Madh të Singaporit në Marina Bay, duke pranuar se sezoni aktual është më i ndërlikuar se kurrë për “Shigjetat e Kuqe”.
“Nëse do ta dija saktësisht ku qëndron dobësia jonë, gjithçka do të ishte më e thjeshtë. Si ne, edhe Red Bulli e Mercedesi kanë bërë përparime, por McLaren ka gjetur diçka më shumë. Për më tepër, RB dhe Mercedes kanë hedhur një hap përpara që ne nuk e kemi arritur ende. Nuk besoj se këtë vit do të jemi ndonjëherë favoritë kundër McLaren-it, por… kurrë mos thuaj kurrë. Shanset tona mund të rriten vetëm nëse ndodhin e papritura në menaxhimin e gomave ose ndoshta në Las Vegas, por për të fituar një garë këtë vit do të jetë shumë e vështirë. Ferrari nuk mund të kënaqet me vendin e dytë, të tretë apo të katërt,” – u shpreh Leclerc.
Ai shtoi se Marina Bay është një pistë me ngarkesë të lartë aerodinamike, por nuk pret “mrekulli” nga makina e tij. “Në Baku nuk bëmë një punë të mirë në kualifikime dhe nuk besoj se këtu do të jetë ndryshe. Do të jap gjithçka për ‘pole position’ si në Hungari, por kushtet nuk janë të njëjta. Përgatitja për Singapor është gjithnjë specifike, edhe pse unë përpiqem të jem në formë maksimale nga gara e parë deri tek e fundit.”
Nga ana tjetër, Lando Norris shfaqi më shumë besim:
“Jam i motivuar. Viti i kaluar ishim shumë të fortë këtu dhe gjithmonë më ka pëlqyer Singapori që nga viti im i parë në 2019. Është një nga pistat e mia të preferuara. Red Bull-i me përditësimet e fundit është afruar në nivelin tonë, kështu që presim një betejë të fortë me Max Verstappen. Pas Singaporit shkojmë në Las Vegas, një pistë ku ndoshta nuk do të jemi aq kompetitivë, ndaj kjo është një mundësi për rivalët tanë. Ne do të përqendrohemi vetëm tek vetja dhe do të kërkojmë të maksimizojmë çdo rezultat.”
Edhe George Russell e sheh garën e radhës si një test të madh:
“Dy vitet e fundit kemi bërë mirë këtu. Ferrari zakonisht është i fortë në Singapor, por McLaren edhe më shumë, sidomos në kushte të nxehta. Këto janë skuadrat që duhet të mposhtim. Për rinovimin tim me Mercedes nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, thjesht duhet kohë. Sa i përket Verstappen-it, ai është katër herë kampion bote dhe mund të bëjë çfarë të dojë. E respektoj shumë dhe shpresoj një ditë të arrij të njëjtën gjë.”
Në prag të garës së natës më spektakolare të sezonit, duket se Ferrari mbetet në pritje të një mrekullie, McLaren kërkon të shfrytëzojë momentin, ndërsa Mercedes vazhdon të ndërtojë për të ardhmen.