Vllaznia ka bërë edhe një lëvizje të papritur në merkaton e tetorit, duke përforcuar repartin e mbrojtjes me qendërmbrojtësin boshnjak Jasmin Celikoviç. 26-vjeçari ka qenë së fundmi pjesë e skuadrës sllovene Koper, ndërsa tashmë do të veshë fanellën kuqeblu në rrugën drejt objektivit madhor: titullit kampion.
Klubi shkodran konfirmoi marrëveshjen nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku theksohet se lojtari ka firmosur një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Celikoviç është aktivizuar më parë me disa ekipe të njohura në rajon dhe pritet të sjellë eksperiencë dhe siguri në prapavijën e Vllaznisë, në një sezon ku konkurrenca për kreun e klasifikimit është e ashpër.
Ky afrimi i fundit tregon se drejtuesit e klubit janë të vendosur të forcojnë skuadrën deri në detajet e fundit, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa në një kampionat që pritet të jetë i gjatë dhe i vështirë.