Aston Villa siguron një tjetër fitore në raundin e dytë të UEFA Europa League. Kundër Feynoord, ekipi i drejtuar nga Unay Emery bën detyrën, duke marrë një sukses në transfertë 0-2.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë nga Feyenoord, i cili kërkoi të shfrytëzonte mbështetjen e publikut për të marrë kontrollin e lojës. Holandezët u përpoqën të krijonin raste përmes krahëve, me shumë topa të dërguar në zonën e rrezikshme, si në rastin e Ayase Ueda në minutën e 26’, apo Luciano Valente 5 minuta nga përfundimi i ndeshjes, por ishte portieri Bizot në lartësinë e duhur.
Megjithatë, Aston Villa e Unai Emery qëndroi kompakte, duke ruajtur qetësinë dhe duke pritur momentet për kundërsulme. Në pjesën e dytë, Aston Villa hyri me një tjetër temp, kur në minutën e 61’,pas një aksioni të shpejtë në mesfushë, Emiliano Buendia shfrytëzoi një hapësirë dhe me një goditje të saktë kaloi skuadrën në avantazh 0-1.
Goli tronditi Feyenoordin, i cili u hodh menjëherë në sulm për të barazuar, por çdo përpjekje u ndal nga mbrojtja e organizuar e anglezëve. Në minutën e 79’, një tjetër kundërsulm i Aston Villa-s rezultoi fatal për vendasit. John McGinn u gjend në vendin e duhur brenda zonës dhe dyfishoi shifrat, duke vulosur fitoren 0-2.
Dy fitore në po kaq ndeshje për anglezët, ndërsa ekipi drejtuar nga Van Persie nuk ka grumbulluar asnjë pikë.