Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 që zhvillohen në muajin tetor, kundër Sllovenisë dhe Suedisë.
Në listën e publikuar këtë herë janë ftuar 27 futbollistë, ndërsa në listën rezervë figurojnë edhe 9 emra të tjerë.
Dardanët do të nisin grumbullimin të hënën, më 6 tetor, me stërvitjen e parë që zhvillohet në orën 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Më herët, në orën 12:00, Foda do të mbajë konferencën e zakonshme për media.
Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë më 10 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tre ditë më vonë, më 13 tetor, në të njëjtën orë, Dardanët luajnë në Goteborg kundër Suedisë.
Pas dy ndeshjeve të para të këtij cikli kualifikues, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 3 pikë. Kryeson Zvicra me 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë.
