Barcelona është tërhequr nga projekti për Superligën Evropiane të Futbollit, nismë e kryesuar nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
Sipas një raporti nga gazeta sportive “Marca”, Barcelona ka vendosur të tërhiqet nga ideja e krijimit të një Superlige Evropiane dhe të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me UEFA-n.
Klubi beson se federata evropiane i ka marrë seriozisht komentet e klubeve, duke bërë ndryshime të rëndësishme, të tilla si përshtatja e formatit të garave dhe rritja e shpërblimeve financiare për ata që marrin pjesë në to.
Këto lëvizje e çuan Joan Laportën dhe Blaugranat të tërhiqnin mbështetjen e tyre për Florentino Perezin dhe krijimin e kësaj lige të mbyllur.
Marrëdhëniet e katalanasve me UEFA-n, të cilat në vitet e kaluara ishin të tensionuara për shkak të mosmarrëveshjeve të ndryshme financiare, tani duket se po tregojnë shenja përmirësimi.
Një shembull tipik është prania e Aleksander Ceferin në suitat e “Montjuic”, gjatë ndeshjes së katalanasve kundër Paris Saint-Germain për Fazën e Ligës së Kampionëve.