Presidenti Armand Duka, në një intervistë për revistën Bordo, ka ndarë emocionet e periudhës së ngarkuar të shtatorit dhe vizionin për të ardhmen e futbollit shqiptar. Ai foli për ngjarjen historike të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, duke e cilësuar një promovim të madh për Shqipërinë dhe një dëshmi të rritjes së kapaciteteve organizative të FSHF-së.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal te ëndrra e madhe e pjesëmarrjes në Botëror, duke theksuar se është një objektiv real për të cilin po punohet me përkushtim, pas dy pjesëmarrjeve në Europian. Presidenti Duka kujtoi momentin historik të kualifikimit në Euro 2016, përshkroi sfidat e drejtimit të FSHF-së, si ndërtimi i infrastrukturës dhe forcimi i lidhjeve me UEFA-n e FIFA-n, si dhe theksoi ambicien për të sjellë në Shqipëri Superkupën e Europës në vitin 2028.
Presidenti Duka foli edhe për marrëdhëniet me trajnerët e Kombëtares, duke veçuar rolin e De Biasit dhe suksesin e Silvinjos, si dhe për krenarinë që i japin futbollistët shqiptarë me sukseset e tyre në klubet europiane. Ai theksoi se Kombëtarja është “brand-i i Shqipërisë moderne” dhe mbetet simboli më i fortë i bashkimit kombëtar.
Intervista e plotë
Të takoje Armand Dukën gjatë muajit shtator ishte si një mision i pamundur. Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për herë të parë në Shqipëri, ishte ngjarja botërore, angazhimi total i këtyre ditëve, përsos ndeshjeve paralel të Kombëtares për eliminatoret e Botërorit 2026.
Megjithatë i vetëdijshëm, që ky moment historik duhej të jetësohej në një dokument të printuar siç është revista BORDO, Armandi i vodhi kohë gjithçkaje jo vetëm për të ndarë emocionet e këtyre ditëve, rrugëtimin e tij në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, ëndrrave drejt botërorit, përjetimeve më të forta, që ka provuar në këtë sfidë tashmë jete të tij, por edhe realizoi këtë set fotografik, në zyrën e tij ku pret e takon liderët botërorë të futbollit, yjet shqiptarë të Kombëtares, por edhe çdo njeri, që i troket në derë e kërkon mbështetjen e tij.
Sepse Armand Duka është brand-i i Kombëtares, përkundër siç thotë vetë ai, “Kombëtarja është brand-i i Shqipërisë moderne”!
– Zoti Duka, pak ditë më parë në Tiranë mbërritën drejtuesit e UEFA-s për një mbledhje të rrallë, si ishte për ju si drejtues i FSHF, ky event, ky takim historik në fakt?
– Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, për herë të parë në Tiranë, ishte një ngjarje historike për futbollin shqiptar dhe jo vetëm.
Kjo vjen në vijim të disa eventeve të rëndësishme ku Shqipëria është vënë në qendër të zhvillimeve të rëndësishme futbollistike, si finalja e UEFA Conference League në 2022-shin, finalet e EURO U17 që u mbajtën në qershor në 4 qytete të Shqipërisë, Komiteti i Medias së UEFA-s, UEFA National Associations Strategic Meeting, Paneli Grassroots UEFA, SES Community Meeting, etj. Organizimi dhe mikpritja e një eventi të tillë ishte tregues i rritjes së kapaciteteve organizative të FSHF-së dhe një mundësi shumë e mirë për të promovuar Shqipërinë.
I gjithë organizimi përfshiu një festival të mrekullueshëm futbolli me pjesëmarrjen e fëmijëve të shkollave dhe legjendave të futbollit botëror, Luis Figo, Aljoša Asanović, Presidenti i UEFA-s Čeferin, Silvinjo, Doriva, Zabaleta, Luçije Gjini dhe Jahmir Hyka. Më tej, u vijua me mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, pritjen në ambientet e Kryeministrisë nga kryeministri Rama dhe darkën zyrtare që solli një panoramë të shkëlqyer të artit dhe traditave shqiptare.
Shumica e anëtarëve të UEFA-s nuk e kishin vizituar ndonjëherë Shqipërinë dhe mbetën të befasuar nga mikpritja, madje disa prej tyre patën mundësi të vizitojnë Krujën dhe të bëjnë edhe shëtitje të shkurtra nëpër Tiranë.
– Cili ishte qëllimi i tij dhe çfarë mundësish do t’i ofrojë në të ardhmen ky takim FSHF-së?
– Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është një event i rëndësishëm për futbollin europian, pasi merren vendime shumë të rëndësishme në lidhje me eventet futbollistike, investimet infrastrukturore dhe projektet e zhvillimit në çdo shtet. Në këtë mbledhje u morën vendime mbi zhvillimin e finales së Champions League në vitin 2027, finales së Champions League për vajza, futsallin, si dhe disa ndryshime rregulloresh për futbollistët që aktivizohen.
Ky event shënon një tjetër hap madhor të futbollit shqiptar në kuadrin e organizimeve futbollistike me rëndësi të lartë, mirëmban urat e bashkëpunimit me qeverinë e futbollit europian, si dhe e vuri Shqipërinë në faqen e parë të diskutimeve mbi futbollin në të gjithë Europën.
E thënë më shkoqur, ishte promovim i shkëlqyer për Shqipërinë, pasi kjo mbledhje merr një vëmendje të madhe nga media ndërkombëtare, për vendimet e rëndësishme që merren në të mirë të futbollit europian. Ky takim mund të jetë edhe pikënisja e një tjetër eventi madhor në të ardhmen për të cilën do të shpallim kandidaturën, për Superkupën e Europës në vitin 2028.
– Ëndrra e Botërorit është në prag, për ju sa e prekshme është kjo ëndërr?
– Futbolli është një sport i magjishëm pikërisht për faktin se të jep mundësinë të ëndërrosh. Më shumë se sa ëndërr, arritja e finaleve të kompeticionit më të madh në botë, është një objektiv për të cilin kemi punuar gjithë këto vite. Tashmë kemi përjetuar dy pjesëmarrje në Kampionatin Europian dhe mendoj se Kombëtarja është rritur përgjatë këtij rrugëtimi, ku kemi një grup të konsoliduar futbollistësh cilësorë, të cilët së bashku me stafin teknik po punojnë për të na çuar çdo ditë e më shumë drejt synimit tonë.
Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, por skuadra duhet të shpresojë në maksimum dhe të luftojë deri në fund për të arritur në vendin e dytë. Duhet të kemi parasysh që edhe faza play-off është e një shkalle shumë të lartë vështirësie, por shanset janë aty dhe në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Ajo që kërkojmë është që skuadra të luftojë deri në fund, me zemër dhe pasion, duke mbajtur gjallë shpresën dhe ëndrrën për të arritur aty ku asnjëherë më parë nuk kemi qenë.
– Cili ka qenë momenti më sfidues gjatë drejtimit tuaj të Federatës Shqiptare të Futbollit?
– Nuk mund t’i ndaj sfidat nga njëra-tjetra si ngjarje të izoluara. Në këto vite, çdo etapë ka patur vështirësitë dhe dilemat e veta. Të ndërtoje nga e para një infrastrukturë moderne futbolli, të ngrije një sistem të besueshëm organizativ, të ndërtoje raporte bashkëpunimi me UEFA-n dhe FIFA-n, nuk janë gjëra që ndodhin brenda ditës. Janë procese të gjata, që kërkojnë vizion, durim, edhe shumë durim.
Por kur më pyesin për një moment që përmbledh gjithë këtë përballje me sfidat, gjithmonë më vjen ndër mend ajo mbrëmje e tetorit 2015, në Armeni. Ishim në një stadium bosh nga shqiptarët, por me një skuadër që e ndiente gjithë peshën e një kombi mbi supe. Fituam 3-0 dhe bëmë histori, për herë të parë, Shqipëria shkonte në një Europian.
Ai moment nuk ishte thjesht një sukses sportiv. Ishte një lloj shpërthimi emocional, një shpërblim për çdo rezistencë, për çdo pengesë që ishte kapërcyer gjatë rrugës. Isha aty me ekipin, me stafin, dhe pavarësisht se mungonin tifozët në tribuna, emocioni i asaj nate ishte më i fortë se çdo stadium plot. Kualifikimi në Euro 2016 nuk ishte vetëm një ëndërr e realizuar, por një pikë kthese për gjithë mënyrën se si e shihnim veten në botën e futbollit.
– Kur kujton momentin, që morët drejtimin e FSHF-së, cila ishte ëndrra juaj?
– Kur mora drejtimin e Federatës, shumë njerëz afër meje më thanë: “Është një detyrë e lehtë, pozicion nderi… nuk ka shumë angazhime, thjesht do të jesh figurë përfaqësuese”. Por nuk vonoi shumë dhe e kuptova që ishte krejt e kundërta.
Futbolli është një botë që të përpin me të gjitha dimensionet e saj, kërkon përkushtim të plotë, vizion, vendimmarrje të forta dhe një rezistencë të jashtëzakonshme ndaj presioneve që vijnë nga të gjitha drejtimet. Në atë kohë, futbolli shqiptar ishte larg nga gjithçka që kemi sot. Nuk kishte infrastrukturë, nuk kishte një sistem të ndërtuar, as identitet të qartë në arenën ndërkombëtare. Por kjo më dha shtysën për të patur një ëndërr shumë të qartë: të ndërtonim një themel të fortë që do t’i jepte futbollit shqiptar jo vetëm organizim dhe kushte, por edhe krenari.
Më pas, shumë nga ato që dikur dukeshin si ëndrra, nisën të bëhen realitet. Pjesëmarrja në dy Europiane, finalja e UEFA Conference League në Tiranë me Romën e Murinjos dhe Marash Kumbullën, finalet e Euro U17 në katër qytete të Shqipërisë, dhe tashmë, në vitin 2027, do të mirëpresim finalet e Euro U21, kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në kontinent për nga niveli. Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe aspak i lehtë. Por në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është që sot nuk jemi më jashtë loje. Jemi pjesë e hartës së futbollit europian, dhe jemi të vendosur të qëndrojmë aty me dinjitet.
– Sot, sa ëndrra keni bërë realitet dhe a ka një cak ëndrra juaj në këtë drejtim?
– Ka nga ato ditë kur ndalem dhe mendoj për rrugën që kemi bërë dhe e kuptoj që shumë nga ato që dikur i thërrisnim ëndrra, sot janë realitet i prekshëm. Dikur na dukej e pamundur që Shqipëria të kishte stadiume moderne, apo të organizonte një finale europiane. Sot kemi pritur në Tiranë finalen e UEFA Conference League, kemi mirëpritur Kampionatin Europian U17, do të presim Euro U21 në 2027 dhe Kombëtarja ka shtuar pjesëmarrjet dhe rritur performancat në kompeticionet e rëndësishme.
Këto nuk janë vetëm arritje sportive, janë kthesa historike për vetë mënyrën si shihet Shqipëria në hartën e futbollit europian. Kemi ambicie që të shkojmë më tej, shumë më tej. Gjatë vizitës së fundit të Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin në Tiranë, unë i propozova zyrtarisht që Shqipëria të merret në konsideratë për të mirëpritur Superkupën e Europës në vitin 2028.
Është një objektiv i arritshëm dhe një sfidë për të cilën jemi seriozisht të përgatitur, si vend, si infrastrukturë, si organizim. Sigurisht, ëndrra më e madhe vazhdon të mbetet Botërori. Të shohim flamurin shqiptar mes 48 skuadrave më të mira në botë do të ishte momenti kulmor i këtij rrugëtimi.
– Keni bashkëpunuar me shumë trajnerë, cili prej tyre i ka dhënë më shumë Kombëtares?
– Secili trajner i Kombëtares ka hedhur një gur themeli në ndërtimin e skuadrës që kemi sot, qoftë në mentalitet, rritjen e lojtarëve të rinj apo arritje e sukseseve madhore ndër vite. Ndër trajnerët e parë që bëri histori dhe solli një mentalitet ndryshe dhe transformoi konceptin që kishim për futbollin e Kombëtares deri në atë kohë, ishte Hans-Peter Brigel.
Në aspektin e suksesit sportiv apo arritjeve le të themi, sigurisht që Gianni De Biasi ishte i pari që ia doli të udhëhiqte Kombëtaren drejt kualifikimit historik për herë të parë në finalet e Euro, “Francë 2016”. Sigurisht, nuk mbetet pas trajneri aktual Silvinjo, i cili e drejtoi ekipin drejt finaleve të Euro 2024 pas një fushate kualifikuese fantastike dhe sot jemi në gjysmë të rrugës për të arritur një tjetër objektiv: finalet e Botërorit.
– Raportet me trajnerët i kalojnë marrëdhëniet e punës, me kë prej atyre që kanë qenë pjesë e Kombëtares vijoni të keni një raport miqësor?
– Me shumicën e trajnerëve të Kombëtares kemi patur raporte pozitive pune dhe personale, por dinamikat e punës dhe jetës të bëjnë që me disa të ritakohesh më shpesh se me të tjerë. Në aktivitetet e shpeshta europiane ku marr pjesë, më bie të ndeshem me ish-trajnerë, si për shembull Gianni De Biasi apo Edy Reja, të cilët ruajnë ende një dashamirësi të madhe për Shqipërinë dhe me të cilët kam raporte shumë të mira edhe sot e kësaj dite.
– Sylvinho, a është në këndvështrimin tuaj pika më e fortë e drejtimit të Kombëtares?
– Futbolli është një sport kolektiv, ku secili element ka rëndësi në performancën e ekipit. Trajneri dhe stafi teknik janë një pikë e fortë për të ndërtuar një ekip konkurrues, për të shtyrë lojtarët drejt objektivit dhe për t’i dhënë performanca të mira të ekipit. Trajneri Silvinjo është një trajner punëtor, i përkushtuar dhe ka bërë mirë me Kombëtaren përgjatë këtyre 2 viteve e gjysmë.
Nga ana tjetër, merita i takon gjithashtu edhe çdo futbollisti që jep kontributin e tij për skuadrën dhe çdo anëtari të stafit apo të Federatës që sigurohen që çdo gjë të shkojë në mënyrë të përkryer. Pra, është një miks faktorësh që e bëjnë një ekip të fortë, po patjetër, trajneri ka përgjegjësinë e madhe për ta drejtuar aty ku duhet.
– Futbollistët, emrat e Kombëtares janë gjithmonë të përfolur. A keni pengje në këtë pikë, futbollistë që s’mundën të vishnin fanellën e Kombëtares për një arsye apo një tjetër?
– Unë jam shumë i lumtur për suksesin që kanë patur futbollistët shqiptarë në botë, të cilët kanë përfaqësuar shtete të tjera, por jam shumë krenar për ata që kanë zgjedhur të luajnë dhe sakrifikojnë për ekipin tonë Kombëtar.
Në një pikëpamje teknike, mund të kishim qenë një ekip akoma më i fortë me disa emra të rëndësishëm, por unë besoj që kënaqësinë që të jep përfaqësimi i vendit tënd, i tejkalon mbase ato pak suksese që mund të arrihen duke luajtur për përfaqësuesen e një vendit tjetër.
Mendoj se secili lojtar që ka përfaqësuar Kombëtaren shqiptare, ka patur mundësinë të rritet në karrierë si profesionist, shumë herë edhe duke regjistruar arritje të rëndësishme si pjesëmarrjet në kompeticionet europiane, por edhe në nivel individual, duke luajtur një numër të konsiderueshëm ndeshjesh, që ndoshta në një kombëtare tjetër do të ishte e vështirë të arrihej. Janë disa lojtarë shqiptarë, që me përfaqësueset që kanë zgjedhur, kanë luajtur një numër fare të vogël ndeshjesh, si Shkodran Mustafi apo Adnan Januzaj, ndërkohë që jam i sigurt se me Kombëtaren tonë do të kishin bërë shumë më shumë.
Shumica e lojtarëve shqiptarë aktivizohen në klubet më të mira në Itali, Spanjë, Angli, Turqi etj., gjë që tregon se nuk ka rëndësi se përfaqëson një Kombëtare të madhe apo jo, nëse ke talent dhe punon, mund t’ia dalësh të jesh një futbollist i suksesshëm. Jam shumë i lumtur me lojtarët shqiptarë, që kemi patur ndër vite dhe besoj që krenaria e veshjes së fanellës kuqezi e ka bërë këtë ekip akoma më të bashkuar dhe të prirur të shkojë drejt sukseseve.
– Cili është lojtari shqiptar që ju ka emocionuar më shumë?
– Është e pamundur të veçoj vetëm një lojtar, sepse gjatë gjithë këtyre viteve kam parë me sytë e mi shumë emra që kanë dhënë gjithçka për fanellën kuqezi dhe që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Por ka momente që mbeten të paharruara dhe që ngjallin emocione të veçanta. Mbaj mend si sot kur Marash Kumbulla, në vitin 2022, ngriti trofeun e UEFA Conference League me Romën, dhe jo në çfarëdo stadiumi, por në “Air Albania”, në Tiranë. Ishte një moment ku simbolika u bë shumë e fortë: një djalë shqiptar, në zemër të vendit të tij, duke shkruar histori europiane.
Po aq emocionues ishte edhe momenti i Beratit, kur ngriti trofeun e Europa League si kapiten i Atalantës. Ishte jo vetëm një sukses personal i jashtëzakonshëm, por edhe një tregues se ku kanë arritur futbollistët shqiptarë sot, jo më vetëm pjesë e ekipeve, por liderë, kapitenë, kampionë. Kam qenë në stadium në të dyja rastet, dhe mund të them që ato janë ndër ato çaste ku nuk e fsheh dot emocionin. Më është mbushur zemra me krenari, jo vetëm si president i FSHF-së, por si shqiptar që e di se sa rrugë të gjatë kemi bërë për të mbërritur këtu.
– Nga aspekti personal për ju çfarë është Kombëtarja?
– Për mua, Kombëtarja nuk është thjesht një ekip futbolli. Është emocioni më i fortë që mund të përjetojë çdo shqiptar, pavarësisht ku ndodhet. Kombëtarja është bërë, pa dyshim, një nga simbolet më të fuqishme të bashkimit kombëtar dhe identitetit tonë si popull. Në 10-vjeçarin e fundit, ajo është kthyer në një brand të fuqishëm të Shqipërisë moderne, që përfaqëson dinjitet, forcë karakteri dhe ambicie europiane.
Dhe për mua personalisht, çdo ndeshje e Kombëtares është një përjetim i fortë emocional, pavarësisht se jam president i FSHF-së. Kur Kombëtarja është në fushë unë nuk jam kurrë thjesht një drejtues, jam tifoz, jam shqiptar, jam pjesë e asaj përjetësie që vetëm fanella kuqezi di të krijojë. Nuk e teproj nëse them që Kombëtarja është ndoshta gjëja më e dashur për shqiptarët sot.
– Po FSHF?
– Federata për mua është një angazhim i përditshëm, i fortë dhe me përgjegjësi shumë të madhe, por njëkohësisht është një nga ato rrugë që, sa më shumë ecën, aq më shumë kupton se ia vlen. Është një sfidë që nuk pushon asnjë ditë, sepse futbolli është gjallëri, është zhvillim i vazhdueshëm, është presion e pasion. Në këto vite kam jetuar momente të pabesueshme, nga emocionet e mëdha të sukseseve në fushë, te proceset e ndërlikuara jashtë saj.
Të jesh në krye të futbollit shqiptar do të thotë të jesh pjesë e një familjeje të madhe, ku çdo ditë ndodh diçka e re, diçka që kërkon zgjidhje, energji dhe vizion. Nuk është një detyrë që e mban thjesht me vendime zyrtare apo mbledhje, por është një përfshirje totale që kërkon shpirt. Dhe pavarësisht lodhjes që sjell, është një rrugë që më ka dhënë kënaqësi dhe ndjenjën se po kontribuoj realisht në diçka që ka vlerë për vendin tim.
– Si e ruani pasionin për futbollin pas kaq vitesh në drejtim?
– Futbolli nuk është punë, është mënyrë jetese. E vështirë është ta lësh, jo ta duash. Kur je kaq gjatë në këtë botë, nuk është thjesht çështje pasioni, është një lidhje që të futet nën lëkurë. Unë nuk e kam parë asnjëherë futbollin si punë.
Është një stil jetese, një emocion që përsëritet çdo javë, çdo ndeshje, çdo projekt të ri. Është e lehtë ta duash futbollin kur sheh një stadium plot, kur dëgjon himnin, kur sheh fëmijët që luajnë me fanellën kuqezi, apo kur ndjek një ekip shqiptar që përfaqëson vendin me dinjitet në Europë.
Pjesa e vështirë është të mos e përjetosh më. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse pas kaq shumë vitesh, nuk kam humbur asgjë nga ajo ndjesi e parë që kam patur kur fillova: që me anë të futbollit mund të ndikosh realisht në jetën e shumë njerëzve. Dhe kjo nuk lodh kurrë.
– Çfarë do të donit të lini si trashëgimi në futbollin shqiptar?
– Unë shpresoj që dashuria e madhe që kanë shqiptarët për futbollin të kanalizohet akoma edhe më shumë drejt përfshirjes së të gjithëve në atmosferën që të dhuron loja e bukur, qoftë si tifoz, një fëmijë që fillon të luajë futboll në shkollë apo në akademi, si dhe një i ri që e bën futbollin pjesë të jetës së tij si profesion.
Dashuria për futbollin i bën njerëzit më të mirë, më të disiplinuar dhe të qartë në objektivat e tyre. Uroj që kjo dashuri të na çojë drejt ëndrrave akoma të mëdha.